Simptoma ashtu si ëndrra, pasqyron dicka të plotësuar, jep kënaqësi të tipit fëminor, por për shkak të ngjeshjes së tepruar kjo kënaqësi mund të përmblidhet vetëm te ndjesia ose te inervimi, ajo mund të kufizohet si rrjedhim i një zvendësimi të skajshëm me një hollësi të vogël të gjithë kompleksit libidinoz.
Produktet më të njohura të fantazisë janë “ëndrrat me sy hapur”, që është një kënaqësi imagjinare e dëshirave erotike, egoiste, që shpikën maninë e madhështisë e që lulëzojnë aq më fuqishëm sa më shumë realiteti i fton për modesti ose për durim. Në to zbulohet qartë thelbi i lumturisë në fantazi, rivendosja e pavarësisë së përftimit të kënaqësisë nga miratimi i realitetit. Këto ëndrra me sy hapur janë bërthama dhe prototipi i ëndrrave të natës. Në thelb, ëndrrat e natës nuk janë gjë tjetër vecse ëndrra me sy hapur që shfrytëzohen nga liria e natës e dëshirave dhe që shtrembërohen nga forma e natës e veprimtarisë shpirtërore.
Ka një rrugë të kundërt nga fantasia në realitet, që është arti. Në themel edhe artisti është një person i introvertuar, jo shumë larg neurozës. Te ai struken dëshira tepër të fuqishme, ai do të dëshironte të fitonte ndere, pushtet, pasuri dhe dashurinë e grave; por atij i mungojnë mjetet për t’i plotësuar ato. Dhe prandaj, si cdo njeri i pakënaqur i kthen shpinën realitetit dhe e zhvendos interesin, si edhe libidon e tij në figurat e dëshiruara të fantazisë së tij, prej nga do t’i hapej rruga për te neuroza. Dhe duhet të përkojnë shumë gjëra që kjo të mos bëhet rrugëdalja e plotë e zhvillimit të tij; se dihet që shpesh pikërisht artistët vuajnë për shkak të neurozave me humbjen e pjesshme të aftësisë për punë. Mesa duhet, konstitucioni i tyre ka aftësi të madhe për sublimim dhe një dobësi të caktuar për shtypje që zgjidhin konfliktin. Mbretëria e ndërmjetme e fantazisë ekziston me miratim të përgjithshëm të njerëzimit dhe në kushtet që provon privacione prej saj: lehtesim dhe ngushëllim. Por për një joartist mundësia për të përftuar kënaqësi nga burimet e fantazisë është e kufizuar. Vazhdimësia e shtypjeve e detyron atë të kënaqet me ëndrra të mjera, që mund të mbeten ende të vetedijshme. Por nqs dikush është artist i vërtetë, atëhere ai ka në dispozicion më tepër gjëra. Së pari, ai di t’i përpunojë ëndrrat e veta në atë mënyrë që ato të humbasin gjithcka tepër personale që e largojnë tjetrin dhe bëhen të kapshme për të kënaqur të tjerët. Ai di gjithashtu t’i zbusë ato aq shumë saqë nuk është e lehtë të gjendet origjina e tyre nga burime të ndaluara. Pastaj, ai ka aftësinë misterioze për t’i dhënë formë një lënde të ushtruar derisa ajo të bëhet pasqyrim i saktë i përfytyrimit të tij fantastik, dhe pastaj di të lidhë me këtë pasqyrim të fantazisë së vet të pavetëdijshme përftimin e një kënaqësie aq të madhe. Nqs kryen gjithë këtë ai u jep edhe të tjerëve mundësinë për të gjetur përsëri ngushëllim dhe lehtësim nga burimet e kënaqësisë së të pavetëdijshmes të tyre që janë bërë të kapshme, duke fituar mirënjohjen dhe habinë e tyre dhe duke arritur, falë fantazisë së tyre, ato që në fillim ai i kishte vetëm në fantazi, nderet, pushtetin dhe dashurinë e grave.
Frika
Frika reale është për ne dicka plotësisht racionale dhe e kuptueshme. Për të ne do të themi se është një reaksion ndaj perceptimit të një rreziku të jashtëm, dmth të një dëmtimi të pritshëm, të parashikuar, se ajo është e lidhur me reflektimin e vrapit dhe se mund të shikohet si shprehje e instiktit të vetëruajtjes.
Unë nuk po hy më thellë për të mësuar nëse në gjuhën tonë fjalët “ankth”, “frikë”, “tmerr” kanë të njëjtin kuptim apo kuptime të ndryshme. Unë vetëm them se “ankthi” lidhet me gjendjen dhe nuk shpreh vëmendje ndaj objektit, ndërsa te “frika” vëmendja është e përqëndruar pikërisht te objekti. Përkundrazi, “tmerri” më duket se ka një kuptim të vecantë, duke treguar pikërisht veprimin e një rreziku, për të cilin nuk jemi të përgatitur nga një gjendje ankthi paraprak. Kështu mund të themi se njeriu mbrohet nga tmerri me anë të ankthit.
Te të sëmurët me veprime fikse duket qartë se janë kursyer nga frika. Por nqs ne pranojmë t’i pengojmë këta të sëmurë të kryejnë veprimin e tyre fiks, larjen, ceremonialin etj., ose nqs ata guxojnë vetë të heqin dorë nga njëri prej fiksimeve të tyre, ata pranojnë një frikë të tmerrshme që i detyron t’i nënshtrohen këtij fiksimi. Ne e kuptojmë se frika ka qënë fshehur prapa veprimit fiks, i cili është kryer vetëm për të shmangur frikën. Në neurozën e gjendjeve fikse frika që duhej të lindte zvendësohet nga formimi i simptomave. Rrjedhimisht do të ishte më e drejtë të thuhej në mënyrë abstrakte se simptomat formohen vetëm për të penguar zhvillimin e frikës që pa këtë do të ishte i pashmangshëm. … Zhvillimi i frikës është reaksion i Unit ndaj rrezikut dhe sinjal që tregon dhe lajmëron ikjen, prandaj për ne është e natyrshme të pranojme se në frikën neurotike Uni e bën këtë përpjekje për të ikur nga kërkesat e Libidos se tij, duke e trajtuar këtë rrezik të brendshëm sikur të ishte i jashtëm. Me këtë shpjegohet përfundimi se aty ku ka frikë, ka dicka që është shkaku i frikës. Por analogjia mund të shtyhej edhe më tej. Ashtu sikurse orvatja për t’i ikur rrezikut të jashtëm zëvendësohet nga qëndrueshmëria dhe nga marrja e masave të dukurive mbrojtëse, po kështu edhe zhvilimi i frikës neurotike ia lëshon vendin formimit të simptomave që e ndërpresin frikën.
Nqs ka fëmijë që shkojnë më tej në rrugën e edukimit të frikës dhe i gjejnë vetë rreziqet, për të cilat nuk janë paralajmëruar, atëherë, për ta mund të thuhet me siguri se në konstitucionin e tyre ka një sasi më të madhe kërkese libidinoze apo që ata janë përkëdhelur para kohe me kënaqësi libidinoze. Nuk është për tu habitur që midis këtyre fëmijëve gjenden edhe psikoneurotikët e parë; vecse ne e dimë se lindja e neurozës kushtëzohet para së gjithash nga paaftësia për ta shtypur për një kohë të gjatë akumulimin e libidos.
No comments:
Post a Comment