Vendimet
Të zgjohesh nga mërzia dhe brenga – thonë se kjo arrihet fare lehtë – mjafton të kesh pak vullnet. … Këshilla më e mirë në këto raste është ta marrësh gjithcka sic është, sic vjen, ta lësh mënjanë gjithë masën e rëndë dhe pa formë dhe, nëse tërhiqesh pas dickaje, të mos jepesh, të mos nënshtrohesh, të mos harxhosh shumë energji më tej, po t’i vështrosh të tjerët me mospërfillje si shtazë, pa të brejtur ndërgjegjja
fare – shkurt, gjithcka që të ka mbetur nga kjo jetë e mjerë e fantazmagorike, ta shtypësh me pëllëmbën tënde pa u dridhur aspak, domethënë ta shtosh edhe më qetësinë dhe baraspeshimin tënd, dhe përvec tyre mos ruaj gjë tjetër te vetja jote. Dhe duhet të bësh një lëvizje karakteristike për këtë gjendje shpirtërore – të kalosh ngadalë gishtin e vogël mbi vetulla.
Udhëtari
Tramvaji i afrohet stacionit, një vajzë shfaqet te dera për të dalë: Ia ngul sytë mirë, aq sa më duket sikur e prek të tërën. Është e veshur me të zeza, palat e fundit i ka si të ngrira, ka një bluzë të ngushtë, me jakë të bardhë, paksa të qëndisur; ka mbështetur dorën e majtë te xhami, me të djathtën mban cadrën. Ka një fytyrë zeshkane, një hundë majuce e të drejtë, me faqe të ëmbla. Flokët i ka të dendur e ngjyrë gështenjë, mbi vetulla i varen ca kacurrela të bukura, vetullat i ka të holla dhe veshë të vegjël e të bukur që i shkojnë me kokën e hijshme. Atëherë pyes veten: si është ndarë kështu kjo botë, ajo as që habitet fare me veten e saj, ka mbyllur buzët dhe s’do t’ia dijë për asgjë nga këto?
No comments:
Post a Comment