Zhan-Zhak Ruso - Ligjërata

Sot, që studimet më të holla dhe një shije më sqimatare, kanë ditur të kthejnë Artin  e kënaqësisë në parime absolute, zakonet tona i sundon një uniformitet i mbrapshtë dhe mashtrues, prandaj mund të thuhet se cdo shpirt është modeluar mbi një stampë të vetme: gjithnjë mirësjellja kërkon, edukata komandon.

Këmbëngulja me shumë lehtësi degjeneron në kryenecësi, butësia në dobësi, zelli në fanatizëm, trimëria në egërsi.

Njerëzit janë më tepër të verbër sesa të ligj, dhe veset e tyre zënë fill më tepër nga ligështia sesa nga ligësia. Para se të mashtrojmë të tjerët, ne
mashtrohemi nga vetvetja, dhe të metat tona lindin nga gabimet tona. Dhe, nëse i kryejmë, kjo vjen ngaqë e lëmë veten të joshemi nga interesa të vogla e të atypëratyshme, të cilat na presin vizionin për gjëra më të rëndësishme dhe më të largëta. Prej kësaj rrjedhin të gjitha shpirtvogëlsitë që janë tipike për vulgaritetin: paqëndrueshmëria, mendjelehtësia, huqet, dinakëria, fanatizmi, egërsia: vese të cilat, të gjitha pa përjashtim, i kanë rrënjët në dobësinë e shpirtit. … Kështu ngjet që një gjykim i pasigurt dhe një zemër që lë të joshet lehtësisht, i kthejnë njerëzit në të dobët e të mjerueshëm. Për të arritur madhështine duhet të dish të bëhesh padron i vetvetes. Armiqtë tanë më të tmerrshëm janë brenda nesh, dhe ai që do të ketë mësuar t’i bëjë ballë dhe t’i nënshtrojë, do të ketë merituar lavdinë, në gjykim të të urtëve, më tepër se po të kishte pushtuar Universin.

Trupi politik, i marrë në tërësinë e tij, mund të përfytyrohet si një organizëm i gjallë, i ngjashëm me atë të njeriut. Pushteti sovran përfaqësohet nga koka; ligjet dhe zakonet janë truri, zanafilla e sistemit nervor dhe vatra e inteligjencës, e vullnetit dhe e ndjeshmërisë për të cilat janë organe gjykuese dhe vepruese. Tregtia, industria dhe bujqësia janë goja dhe stomaku që përgatisin jetesën e përbashkët; financat publike janë gjaku që një ekonomi e urtë, duke vepruar si zemra, e bën të qarkullojë nëpër të gjithë trupin prurës të ushqimit dhe të jetës. Qytetarët janë trupi dhe gjymtyrët që i japing lëvizje organizmit duke e bërë të jetojë dhe të punojë, dhe që nëse organizmi është i shëndoshë, nuk mund të goditet në asnjë prej pjesëve të tij pa u pasqyruar menjëherë ndjenja e dhimbshme në tru.

Të ruash rendin dhe qetësinë në cdo pjesë të shtetit është vërtet dicka me rëndësi, është përsëri me rëndësi të arrihet që ligji të jetë përherë i respektuar. Por nëse nuk bëhet ndonjë gjë më tepër se kaq, në të gjithë këtë do të ketë më tepër aparencë mirëqenieje se realitet, dhe qeveria me vështirësi do të bëhet e dëgjueshme kur nuk ka tjetër kujdes vecse të jetë e dëgjuar. Nëse ajo është mirë ti shfrytëzojë njerëzit në cilësitë që janë, është shumë më mirë të dijë ti kthejë në cilësitë që ka nevojë që të jenë. Kjo është sigurisht që nganjëhere popujt bëhen ata që qeveria i bën të jenë. Mësoni pra, të krijoni njerëzit, nëse doni të komandoni njerëz; nëse doni që ligjet të gjejnë bindje i bëni ato që të jenë të pëlqyeshme, dhe se për të kryer atë që është detyrë mjafton të mendoni që është detyrë.

Forca e ligjeve shfaqet vetëm kundrejt shtresës së mesme. Ato nuk kanë fuqi aspak mbi thesaret e të pasurit dhe mbi mizerjen e skamnorit, ngaqë i pari di t’iu bëjë bisht ligjeve dhe i dyti mund t’iu rrëshqasë, njëri e shqyen rrjetën, tjetri i kalon tërthorazi. Nga kjo del se njëri prej problemeve më të rëndësishme për një qeverisje të mirë është ai që të gjejë rrugëdalje për pabarazinë e skajshme të fateve njerëzore; jo duke i hequr pasuritë atij që i ka, por duke i prerë mjetet për të grumbulluar më tej; as duke ndërtuar streha vorfnore për skamnorët, por duke u përkujdesur që qytetarët të mos kenë shkak për tu bërë të tillë. Shpërndarja e mbrapshtë e banorëve mbi territorin e shtetit, aq sa në një vend gjenden tufa-tufa, dhe diku tjetër tokat shpopullohen; përkrahja e dhënë për artet e luksit dhe për industrinë e mirëfilltë në dëm të zejeve të dobishme dhe më të lodhshme; bujqësia e sakrifikuar për tregëtinë, fajdexhiu I bërë i domosdoshëm prej administrimit të keq të parasë publike; e më në fund karakteri i shitshëm i arritur deri në atë pikë sa merita gjykohet në masën e skudëve, dhe se deri dhe virtyti ofrohet për shitje në shpërblim të arit: -të gjitha këto janë shkaqet e drejtpërdrejta prej të cilave rrjedhin pasuritë e tepërta dhe varfëria e skajshme, interesi vetjak që i zë vendin dobishmërisë publike, urrejtja e ndërsjelltë mes qytetarëve, mospërfillja e tyre për cështjen e përbashkët, bindja e përgjithshme në këtë drejtim, dhe ligështimi i të gjitha energjive të qeverisë.
…Kështu që mund të thuhet se një shtet ka arritur në shkallën ekstreme të korruptimit kur të mos ketë forcë tjetër vec parasë.

Hici pjell vetëm hic: ja një parim po aq i vërtetë në fushën e marrëdhënieve të tregut sa edhe në atë të shkencave fizike. Paraja është fara e parasë, dhe skudi i parë është ndoshta më i vështirë për tu fituar se milioni i dytë. Por ka edhe më: e gjithë ajo që i varfëri paguan, është në mënyrë të pashmangshme e humbur për të, dhe mbetet ose arrin në duart e të pasurit. Dhe ngaqë produkti i taksave shpejt a vonë do të përfundojë në xhepin e atij që merr pjesë në qeverisje dhe të atyre që ka përqark, të gjithë këta për këtë arsye, edhe pse do të duhet të paguajnë kuotën e tyre, kanë përherë interes për ti shtuar ato.
Përmbledhim në pak fjalë kontratën sociale të dy gjendjeve shoqërore: Ju keni nevojë për mua, nga momenti që unë jam i pasur dhe ju i varfër; të bëjmë pra një marrëveshje mes nesh: unë do t’iu jap nderin për tu bërë shërbyesi im, dhe si shpërblim ju do të më jepni dhe atë pak që iu mbetet për telashet që më duhet të marr mbi vete për t’iu komanduar.


No comments:

Post a Comment